Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Lançimi i Programit të Bashkëpunimit Zviceran 2026–2028: një kapitull i ri për zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri - Featured Image

Lançimi i Programit të Bashkëpunimit Zviceran 2026–2028: një kapitull i ri për zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri

U lançua zyrtarisht Programi i Bashkëpunimit Zviceran 2026–2028, duke shënuar një kapitull të ri në partneritetin afatgjatë mes Zvicrës dhe Shqipërisë. Ky program përfaqëson një angazhim të ri financiar prej 58 milionë CHF, i fokusuar në forcimin e qeverisjes demokratike dhe gjithëpërfshirëse, zhvillimin ekonomik dhe punësimin, si dhe përmirësimin e shërbimeve infrastrukturore dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Kjo fazë e re bashkëpunimi ndërtohet mbi më shumë se 30 vite partneritet Zvicerano-Shqiptar dhe një mbështetje totale që tejkalon 500 milionë CHF, duke reflektuar një angazhim të vazhdueshëm për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Në këtë event të rëndësishëm, projekti “Aftësi për Punë” (S4J) u prezantua si një nga nismat kryesore që kontribuon në transformimin e arsimit profesional në Shqipëri, me fokus të veçantë në forcimin e modelit të arsimit dual dhe lidhjes së tij me tregun e punës.

Programi solli në vëmendje arritjet konkrete në këtë fushë, duke theksuar ndikimin pozitiv të bashkëpunimit mes institucioneve, shkollave profesionale dhe sektorit privat në rritjen e cilësisë së arsimit profesional.

Një nga momentet më frymëzuese të aktivitetit ishte rrëfimi i Flavia Margjeçi nga shkolla “Kolin Gjoka”, e cila ndau përvojën e saj personale në arsimin dual, duke sjellë një perspektivë të drejtpërdrejtë mbi përfitimet dhe mundësitë që ofron ky model.