Gjatë periudhës shkurt–maj 2026, projekti “Aftësi për Punë” (S4J) mbështeti zhvillimin e 20 orëve të hapura digjitale në katër shkolla profesionale partnere: “Nazmi Rushiti”, “Stiliano Bandilli”, “Arben Broci” dhe Shkolla Profesionale Teknike Korçë. Aktiviteti u fokusua në promovimin e mësimit të kombinuar përmes përdorimit të platformës MësoVET dhe shkëmbimit të praktikave mësimore ndërmjet mësuesve.
Orët e hapura sollën shembuj praktikë të përdorimit të mjeteve digjitale jo vetëm për akses në përmbajtje, por edhe për rritjen e angazhimit të nxënësve, nxitjen e diskutimit, reflektimit dhe zhvillimin e aftësive praktike.


Për të ndarë këto përvoja me një audiencë më të gjerë mësuesish, koordinatorësh të Njësive të Zhvillimit dhe nxënësish, S4J organizoi dy webinarë shkëmbimi praktikash gjatë muajit maj.
Webinari i parë u fokusua te angazhimi i nxënësve dhe përdorimi i metodave si klasa e përmbysur, diskutimi dhe reflektimi. Mësuesit Brunilda Dojçe dhe Devis Pllaha (Shkolla Profesionale Teknike Korçë) si dhe Zija Vranezi (“Nazmi Rushiti”) prezantuan praktika që nxisin pjesëmarrjen aktive të nxënësve dhe lidhjen e mësimit me situata reale. U prezantuan gjithashtu shembuj të përdorimit të forumeve në MësoVET, stuhive të mendimeve dhe aktiviteteve ndërvepruese.
Webinari i dytë u përqendrua në përdorimin e videove demonstrative dhe aktiviteteve praktike për zhvillimin e aftësive profesionale. Mësuesit Erind Hoxha, Jetmir Hallunaj dhe Ermira Ramaj ndanë përvojat e tyre në shndërrimin e koncepteve teorike në aftësi të zbatueshme përmes demonstrimeve dhe ushtrimeve praktike.
Gjatë webinarëve, nxënësit Edona Tomja (“Nazmi Rushiti”) dhe Rikardo Luka (“Arben Broci”) ndanë përvojat e tyre, duke theksuar se kombinimi i aktiviteteve digjitale me mësimin në klasë rrit angazhimin dhe krijon më shumë mundësi për pjesëmarrje aktive në procesin mësimor.
Shembujt e prezantuar treguan se MësoVET shërben si një mjet për ofrimin e udhëzimeve të strukturuara, materialeve demonstrative dhe vetëvlerësimit, ndërsa mësimi praktik mbetet thelbi i zhvillimit të kompetencave profesionale.



