Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
MësoVET mbështet zhvillimin e provimeve të nivelit në 12 shkolla profesionale - Featured Image

MësoVET mbështet zhvillimin e provimeve të nivelit në 12 shkolla profesionale

Digjitalizimi i proceseve të vlerësimit në arsimin profesional po shënon hapa të rëndësishëm përpara falë përdorimit të platformës MësoVET. Në qershor 2026, 1474 nxënës nga 12 shkolla profesionale në vend përdorën MësoVET për kryerjen e provimeve teorike të nivelit. Për 5 prej këtyre shkollave, kjo ishte hera e parë që provimet u organizuan përmes MësoVET.

Përdorimi i MësoVET në provimet e nivelit është rezultat i një pune disavjeçare për ndërtimin e kapaciteteve digjitale në sistemin e AFP-së. Platforma ofron jo vetëm një mjedis virtual mësimor, por edhe një infrastrukturë të besueshme për zhvillimin e proceseve të vlerësimit në mënyrë të standardizuar, transparente dhe të sigurt.

Ky zhvillim mbështetet nga një ekosistem i pasur burimesh digjitale. Deri më sot, në MësoVET janë integruar 253 materiale mësimore digjitale të zhvilluara në kuadër të mbështetjes së S4J, që mbulojnë kualifikime në fusha të ndryshme si: Hoteleri-Turizëm, Ekonomi-Biznes, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Mekanikë, Shërbime Mjete Transporti, Elektroteknikë, Shërbime Sociale Shëndetësore, Teknologji Ushqimore dhe Termohidraulikë. Këto materiale përfshijnë gjithashtu module për profilet duale të nivelit IV dhe të nivelit V të KSHK-së.

Përveç materialeve mësimore, platforma përmban mbi 300 kurse të krijuara nga mësuesit në shkollat profesionale, si dhe qindra hapësira të dedikuara për trajnime, komunitete praktike dhe zhvillim profesional.

Aktualisht, MësoVET përdoret nga rreth 9,000 përdorues aktivë, përfshirë më shumë se 7,700 nxënës dhe mbi 1,200 mësues e staf shkollor, ndërsa të paktën një mësues nga secila prej 30 shkollave profesionale publike ka një profil aktiv në platformë.

Përvoja e provimeve të nivelit dëshmon se investimet në mjedise virtuale të të nxënit nuk mbështesin vetëm procesin mësimor, por krijojnë edhe bazat për transformimin e proceseve të vlerësimit.