Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Rritje e kapaciteteve të mësuesve për praktika profesionale më cilësore në biznes - Featured Image

Rritje e kapaciteteve të mësuesve për praktika profesionale më cilësore në biznes

Në kuadër të rritjes së cilësisë së procesit të të nxënit në vendin e punës, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) dhe me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë” (S4J), gjatë muajit mars dhe prill zhvilloi një cikël trajnimesh për mësuesit e kulturës dhe praktikës profesionale mbi organizimin dhe zbatimin cilësor të praktikave profesionale në biznes.

Trajnimet synuan forcimin e kapaciteteve të mësuesve në planifikimin, koordinimin, realizimin, monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e praktikave profesionale, duke nxitur një bashkëpunim më të ngushtë dhe më efektiv me bizneset partnere.

Aktivitetet u zhvilluan si në format online, ashtu edhe përmes sesioneve dy-ditore në shkolla profesionale partnere të projektit, duke përfshirë rreth 80 mësues nga shkollat e reja partnere të projektit: shkolla “Arben Broci” Shkodër, shkolla “Stiliano Bandilli” Berat, Shkolla Profesionale Teknike Korçë dhe shkolla “Nazmi Rushiti” Dibër.

Përmes kombinimit të sesioneve teorike, diskutimeve të strukturuara dhe punës praktike në grupe, pjesëmarrësit ndanë eksperienca konkrete nga puna e tyre e përditshme, reflektuan mbi sfidat që hasin gjatë organizimit të praktikave profesionale dhe identifikuan mënyra praktike për përmirësimin e proceseve.