Një nga momentet më të rëndësishme të rrugëtimit të nxënësve në arsimin dual është vlerësimi përfundimtar i aftësive të fituara gjatë formimit profesional. Këtë vit, me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë” (S4J), provimet profesionale të nivelit u zhvilluan në ambientet e kompanive partnere, duke sjellë edhe një herë në praktikë parimin themelor të arsimit dual: të mësuarit në kushte reale pune.
Për të garantuar një zbatim cilësor dhe të standardizuar të këtij procesi, S4J ofroi mbështetje teknike për 14 shkolla profesionale në të gjithë vendin, duke i asistuar në organizimin dhe zhvillimin e provimeve profesionale të nivelit në bizneset ku nxënësit kanë kryer praktikën e tyre profesionale.
Në komisionet e vlerësimit janë angazhuar mentorë të nxënësve në biznes, të cilët kanë mbikqyrur dhe këshilluar nxënësit në procesin e aftësimit praktik, duke e bërë kështu vlerësimin përfundimtar një vijimësi organike të rrugëtimit të tyre drejt profesionit.
Një risi e këtij viti, ka qenë angazhimi i mësuesve me përvojë në një proces shkëmbimi të përvojave me kolegët e tyre për organizimin e provimeve përfundimtare në mjediset e biznesit.






Vlerësimi i arsimit dual: një vit rezultate pozitive në kënaqësinë e aktorëve
Të dhënat e mbledhura në qershor 2025 nga raporti i vlerësimit të arsimit dual tregojnë nivele të larta kënaqësie nga të gjithë aktorët: nxënësit, mentorët, drejtorët dhe mësuesit. Nga 184 nxënës të anketuar, 94% u shprehën të kënaqur me programin dual dhe 91% raportuan se kanë fituar aftësi praktike reale në vendin e punës. 90% do ta rekomandonin këtë formë arsimi dhe 96% do të zgjidhnin sërish të njëjtin biznes.
Për sa i përket mentorëve, 87% e tyre janë të kënaqur me përvojën dhe 100% do të mentoronin sërish. 81% e shohin arsimin dual si përfitim për biznesin, sidomos në gjetjen e talenteve të reja.
Së fundi, 95% e drejtorëve dhe mësuesve të shkollave janë të kënaqur me zbatimin e modelit, ndërsa 100% vlerësojnë angazhimin dhe zhvillimin e nxënësve. Bashkëpunimi me bizneset konsiderohet i mirë ose shumë i mirë nga 90% e pjesëmarrësve.
